Mos e qani Triumf Shabanin, ai vdiq në fushëbetejë, ai është hero

“Kushtuar Triumf Shabanit, futbollistit 20 vjeçar që vdiq mbrëmë duke luajtur futboll” Heronjtë. Ata të cilët i kemi model dhe idhuj, krenari e motiv për të jetuar. Na japin dëshirën për tu rritur si njerëz dhe guximin për të mos u ndalur asnjëherë. Kjo, pasi që e dimë se sa shumë ata kanë sakrifikuar për të fituar epitetin e tillë. “Hero”.Nuk ka epitet apo gradë më të lartë në këtë botë. Edhe Triumf Shabani është i tillë. Ai mbrëmë nuk vdiq. Ai mbrëmë dha jetën në fushëbetejë, dhe si i tillë duhet të quhet “Hero” dhe t’i përulemi për veprën e tij. Kush ka luajtur futboll e di fare mirë se fusha e gjelbër nuk është vetëm një fushë me bari ku ti hynë dhe argëtohesh. Ajo është shumë më shumë se aq. Ajo është një arenë gladiatorësh ku për aq sa je aty brenda qëllimi i vetëm i yti është të ngadhënjesh. Futbolli për futbollistët është Baba, Nëna, është vëllai e motra, e dashura dhe puna. Futbolli për futbollistët është vet Jeta. Të tillë e cilësonte edhe Triumfi, futbollin. Ai e luajti atë me pasion dhe seriozitetin më të madh. E luajti deri në limit, e luajti deri në momentet e fundit të jetës së tij. E luajti me guxim, pasi që duhet guxim për tu luajtur kjo lojë. Ju mund të thoni se ai iku shumë i ri, pa mundur ta realizoj mirë ëndrrën e tij të të qenurit futbollist. Mirëpo gaboheni. Gaboheni sepse “Toka” ishte arenë e vogël për të. Gaboheni pasi që Zoti kishte plane më të mëdha per Triumfin. Zoti kishte përgatitur një arenë më të madhe pasi që edhe cilësitë e tij si njeri e si futbollist ishin shumë të mëdha për Tokën. Zoti, e privilegjoi atë më herët duke i dhënë “Parajsën” si arenën e tij të ardhshme, ku ai do të mund të rrezatoj me pozitivitetin e tij. Andaj mos e qani Triumfin. Ai doli ngadhënjimtar. E si do të mund të ikte ndryshe nga kjo jetë përveç se duke realizuar edhe emrin e tij, duke Triumfuar. Sa inat e kam tani. E morri vdekjen të cilën të gjithë futbollistët në këtë botë do ta dëshironin. Të vdesin në fushën e gjelbër. Të vdesin si Heronj duke u bërë kështu i Pavdekshëm. Andaj, ju lutem mos e qani, Triumfin. Ai vdiq në fushëbetejë. Ai është Hero. Meqenëse nuk të njoha mirë, në këtë jetë, shpresoj që të kem fatin të të njoh më mirë në botën tjetër. Edhe pse dyshoj shumë, pasi që atje ku je ti nuk ka vend për ne frikacakëve. I lehtë të qoftë dheu i atdheut tënd, djalosh.